Pas 7 orësh në Kryeministri, Rama largohet nga takimi me Ballukun; pritet darkë pune me Komisaren europiane Marta Kos

Pas më shumë se shtatë orësh takim të mbyllur me zv.kryeministren e pezulluar Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama është larguar mbrëmjen e sotme nga ambientet e Kryeministrisë. Mësohet se Rama do të marrë pjesë në një darkë pune me Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos.

Takimi mes Ramës dhe Ballukut vjen vetëm pak orë pasi Gjykata e Posaçme (GJKKO) vendosi masën e “pezullimit nga detyra” dhe “ndalimit të largimit jashtë shtetit” ndaj zv.kryeministres, në kuadër të hetimeve për tunelin e Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Takimi është zhvilluar “kokë më kokë”, ndërsa më pas i është bashkuar edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Sipas burimeve, Belinda Balluku nuk është larguar ende nga ambientet e Kryeministrisë pas takimit maratonë.

Më herët gjatë ditës, SPAK publikoi njoftimin zyrtar për akuzat ndaj Ballukut, të cilat lidhen me veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Prokuroria e Posaçme bëri publike edhe masat e sigurisë për vartësit e saj: kreun e ARRSH, Gentian Gjyli, dhe drejtorin aktual të KESH, Erald Elezi, ndaj të cilëve u ekzekutuan masat e “arrestit në shtëpi”.

Sipas SPAK, Balluku, Gjyli dhe Elezi akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë të mëdhenj publikë, duke krijuar avantazhe të padrejta për operatorë të caktuar ekonomikë.

Hetimet për procedimin penal vijojnë me metoda speciale dhe priten zhvillime të tjera në ditët në vijim.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT