E ardhmja e Kristjan Asllanit te Torino është vënë në pikëpyetje, pasi klubi po vlerëson nëse do të investojë për blerjen përfundimtare të mesfushorit shqiptar apo do ta kthejë te Interi pas përfundimit të huazimit. Fillimi i mirë i sezonit nën drejtimin e trajnerit Marco Baroni ka pësuar ndryshime pas një gabimi në ndeshjen kundër Genoa-s, i cili ka ndikuar në minutat e tij në javët e fundit.
Megjithëse aktivizimi i Asllanit është reduktuar, statistikat e tij mbeten solide: 9 paraqitje në 11 javë, 7 prej tyre si titullar, me 612 minuta të luajtura dhe saktësi pasimesh 92% në gjysmën e tij të fushës. Por këto të dhëna nuk i kanë mjaftuar ende presidentit Urbano Cairo për të marrë vendimin final.
Cairo ka deklaruar se lojtarit i duhet kohë për t’u konfirmuar plotësisht dhe se Torino do të vazhdojë ta vëzhgojë nga afër para se të vendosë për blerjen e kartonit. Për Asllanin, kjo pjesë e sezonit pritet të jetë përcaktuese për të ardhmen e tij në Serie A.

