Në kuadër të projektit “Supporting Brain Gain Diaspora Engagement Initiatives in North Macedonia”, i financuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM), u realizua një vizitë studimore në Arizona State University (ASU), një nga universitetet më të vlerësuara globalisht sipas Listës së Shangait.
Delegacioni përfaqësoi dy universitetet më të mëdha në vend. Nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” morën pjesë Rektorja Prof. Dr. Biljana Angelova dhe Prorektoria për Shkencë, Prof. Dr. Valentina Geçevska. Universiteti i Tetovës u përfaqësua nga Prof. Dr. Drita M. Fazlia, prodekane për arsim në Fakultetin Juridik, dhe Prof. Dr. Sheruze Osmani-Ballazhi, profesoreshë në Fakultetin Filozofik dhe koordinatore e Zyrës për Menaxhim me Cilësi dhe Evaluim. Delegacioni u udhëhoq nga koordinatorja e projektit, Erda Qazimi. Gjatë vizitës, delegacioni zhvilloi takime me drejtues të lartë të ASU-së, ku u prezantuan: modeli i menaxhimit dhe funksionimit të universitetit; proceset e akreditimit të programeve studimore; përshtatja e kurikulave me nevojat e tregut të punës; qasja ndaj studentëve dhe mbështetja akademike dhe mekanizmat për përmirësimin e rangimit universitar.
Palët shprehën gatishmëri për bashkëpunim, veçanërisht në hulumtime të përbashkëta, shkëmbim njohurish dhe mobilitet të studentëve dhe stafit akademik, që pritet të kontribuojë në avancimin e kapaciteteve akademike në Maqedoninë e Veriut.
Vizita u përmbyll me prezantimin e Universitetit të Tetovës në Melikian Center në ASU, ku u identifikuan mundësi konkrete për partneritete të reja.

