Haga cakton afate të reja: Mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit duhet të dorëzojë argumentet deri më 2 dhjetor 2025

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar një sërë afatesh të reja procedurale në lidhje me përmbylljen e paraqitjes së argumenteve nga ekipet mbrojtëse në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Trupi Gjykues ka urdhëruar që Mbrojtja të dorëzojë argumentet e saj përfundimtare deri më 2 dhjetor 2025, ose në ditën e parë të punës pas publikimit të vendimit të fundit mbi kërkesat për pranimin e provave — cilado prej këtyre të ndodhë më herët.

Në njoftimin zyrtar thuhet se Trupi Gjykues ka miratuar pjesërisht kërkesën për zgjatje të afatit për dosjet gjyqësore përfundimtare dhe deklaratat mbi pasojat e krimeve të pretenduara në viktimat pjesëmarrëse. Këto dokumente duhet të dorëzohen deri më 19 janar 2026, ndërsa deklaratat përmbyllëse të palëve janë planifikuar të zhvillohen nga 9 deri më 13 shkurt 2026.

Gjykata po ashtu njoftoi se vendimi për modalitetet e mundshme të procesit të zhdëmtimit do të merret në një fazë të mëvonshme. Ndërkohë, kërkesa e Mbrojtjes për një procedurë të veçantë për përcaktimin e dënimit është refuzuar. Trupi Gjykues theksoi se çdo çështje që lidhet me dënimin, nëse do të jetë e zbatueshme, do të trajtohet brenda aktgjykimit dhe duhet të përfshihet në dosjet përfundimtare gjyqësore.

Në këtë mënyrë, procesi hyn në fazën e tij të fundit procedurale, me afate të qarta për paraqitjen e argumenteve dhe përgatitjen e deklaratave përfundimtare të të gjitha palëve.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT