Ndarja nga jeta parakohe në moshën 40-vjeçare e këngëtarit Shpat Kasapit, ishte tronditës për familjarët, miqtë dhe publikun.
Në një intervistë për gazetaren e Top Channel Ana Kurti, vëllai i tij, Albini, u shpreh se ndihma e parë mjekësore i është dhënë në banesë, por nuk ka mundur që të mbijetojë. Ai tha se deri tani dyshohet se shkak për ndarjen nga jeta është bërë një arrest kardiak.
I pyetur nëse më parë këngëtari ka pasur probleme shëndetësore, vëllai i tij tha se ka pasur disa shqetësime të vogla nga zemra, por jo diçka serioze.
Trupi i tij ndodhet në Itali, ndërsa në vijim pritet që të kryhen procedurat për të mbërritur pranë familjarëve.
Artisti Shpat Kasapi ka lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, Maqedoninë e Veriut. Ndër vite ai është njohur dhe është pëlqyer për këngët pop folk. Karrierën muzikore e filloi që në moshë të re, ku pas disa prezantimeve në festivalet për fëmijë, fitoi çmimin e parë në festivalin “Bletëzat 98” në Tetovë në moshën 13 vjeçare.
Sukseset e para që paraqesin një urë kaluese nga kënga për fëmijë në atë për të rritur ishin prezantimet dhe çmimi i parë në festivalin Këngët e Stinës 2002 në Tiranë, çmimi i publikut në festivalin Nota Fest 2003 në Shkup dhe çmimi i publikut në Albafest 2003 në Shkup.
Menjëherë pas këtyre ai fitoi çmime të tjera në disa nga festivalet në Shqipëri, mes tyre dhe çmimi si interpretuesi më i mirë ne “Top Fest 1”.
Shpat Kasapi deri më tani ka realizuar disa albume të sukseshme dhe mjaft të dëgjuara, si “Tash po Kthehesh”, “Medikament”, “Axhamiu” (2003), “Do të vijë një ditë” (2004), “Pa ty s’jetoj” (2005), “Kush të ndau prej meje” (2006), “S’e pranon” (2007), “Medikament” (2010).
Artisti do t’i mungojë familjes, miqve e të afërmve, skenës shqiptare dhe publikut.

