Presidentja Vjosa Osmani me bashkëpunëtorë, në 80-vjetorin e lindjes vendosi lule te shtatorja e Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova
Me këtë rast, Presidentja Osmani tha:
Në historinë e shtetit tonë shkëlqen një emër që mishëron guximin, urtësinë dhe ëndrrën tonë për shtet të pavarur – Dr. Ibrahim Rugova, ati ynë themeltar dhe presidenti historik, i cili sot shënon 80 vjetorin e lindjes.
Me besim të pafund në paqen, dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë, presidenti Rugova hodhi themelet e një Kosove të pavarur, duke formësuar një trashëgimi të rrënjosur në mençurinë, durimin, qëndrueshnërinë dhe vullnetin e pathyeshëm të një kombi. Me urtësinë, me vizionin e një burrshtetasi dhe me shpirtin e një patrioti, presidenti Rugova na bashkoi në momentet tona më të vështira, duke frymëzuar brezat për të ecur në rrugën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Rrugë nga e cila asnjëherë nuk do të heqim dorë!