Profesori Driton Haruni: Kasami duhet të jetë lider i VLEN-it, e ka dëshmuar se ka aftësi dhe sjell rezultate

Profesori universitar Driton Haruni, ka bërë një analizë rreth asaj se kush duhet të jetë lider i VLEN-it. Në një postim në Facebook, ai thekson se nëse merren parasysh aftësia për të udhëhequr dhe rezultatet, atëherë Bilall Kasami duhet të jetë kryetar i VLEN-it.
Ai gjithashtu e përmend faktin se Bilall Kasami ka ndërtuar një parti nga zero dhe arriti ta çojë në pesë deputet, ndërsa sot është kryetar i komunës më të rëndësishme shqiptare.
Profesor Haruni më tej thotë se Bilall Kasami nuk është i ngarkuar me etiketën si “tradhtar”, pasi asnjëherë nuk ka pasur lider.
“Kur flasim për lidershipin brenda “Vlen”-it, zakonisht përmenden dy figura: Mexhiti dhe Kasami. Që të dy vijnë me histori të ndryshme politike, por nganjëherë më me rëndësi se prej nga vijnë, është si perceptohen dhe çfarë kanë ndërtuar vetë. Kasami ka ndërtuar një parti nga zero dhe arriti ta çojë në 5 deputetë, pati një periudhë përçarjeje që e uli në 2, por sërish u organizua dhe doli me 6 deputetë dhe 3 komuna, ku dhe sot është kryetar i Tetovës, komuna më e rëndësishme shqiptare. Për më tepër, ai nuk është ngarkuar me etiketën “tradhtar”, sepse nuk ka pasur ndonjë lider tjetër”.
“Në anën tjetër, Izet Mexhiti vjen me një karrierë shumë të gjatë në BDI, edhe ate mbi 20 vjet me të gjitha benefitet dhe pozicionet që ka mbajtur. Largimi i tij nga partia u lexua si tradhti nga një pjesë, sepse i doli kundër liderit me të cilin ka punuar gjithë jetën politike. Megjithatë, edhe ai ka treguar se ka bazë reale nga fakti se me parti të re, ariti te fitoj 4 deputetë dhe 2 komuna të rëndësishme, përfshirë Çairin, që gjithmonë ka pasur peshë politike te shqiptarët”.
“Historia politike e shqiptarëve këtu tregon se liderët e mëdhenj përgjithësisht kanë dalë nga tre zona: Tetova, Gostivari dhe më vonë Kërçova. Kjo e mban Kasamin në një pozitë të favorshme, sepse Tetova ka qenë gjithmonë qendra e gravitetit politik.
Sa i përket përvojës, realisht të dy e kanë. Por nëse e shohim nga këndvështrimi i suksesit të mundshëm si kryetar i “Vlen”-it, për mua bilanci anon nga Kasami. Arsyeja është e thjeshtë: Mexhiti pothuajse gjithë karrierën e vet e ka kaluar si pjesë e qeverisë dhe kur je në pushtet, fitorja është gjithmonë më e lehtë, dhe ka qenë nën ombrellën e Ali Ahmetit, ndërsa Kasami, në të kundërt, ka vepruar për vite nga opozita dhe sërish ka ditur të ndërtojë strukturë, organizim dhe rezultat zgjedhor. Si përfundim mund të them që: të dy janë politikanë me peshë, por nëse flasim për aftësinë për të udhëhequr një subjekt të madh dhe për të prodhuar rezultat edhe kur kushtet nuk të favorizojnë, Kasami më duket më i qëndrueshëm dhe më i suksesshëm”, ka shkruar profesori Driton Haruni.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT