Bexheti: nevojë urgjente për transformimin e sistemeve ushqimore në kushtet e ndryshimeve klimatike
Zëvëndësministri i Bujqësisë, Flakron Bexheti, është pjesëmarrës në konferencë në Budapest ku po flitet në lidhje me prioritetet kërkimore dhe inovative, më saktësisht po trajtohen çështje kyçe që lidhen me sigurinë e sistemit ushqimor dhe bioekonominë në bujqësi.
“Këto ditë jam në Budapest, Hungari, ku po marr pjesë në konferencën e nivelit të lartë “BIOEAST and Beyond.” Kjo ngjarje, e cila zhvillohet nga data 4 deri më 6 dhjetor 2024, është organizuar nga Presidenca Hungareze e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Ministria e Bujqësisë e Hungarisë. Konferenca fokusohet në prioritetet kërkimore dhe inovative, duke trajtuar çështje kyçe që lidhen me sigurinë e sistemit ushqimor dhe bioekonominë në bujqësi. Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë edhe përfaqësues të lartë, si sekretari shtetëror i Ministrisë së Bujqësisë të Hungarisë, z. Zsolt Feldman, drejtori i përgjithshëm i Komisionit Evropian, z. Marc Lemaitre, dhe zëvendës sekretari shtetëror i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Polonisë, z. Adam Nowak”, ka shkruar zëvendësministri, Flakron Bexheti.
Bexheti mes tjerash ka folur edhe për sfidën aktuale globale mbi ndryshimet klimatike, rëndësinë e kërkimeve dhe inovacioneve për krijimin e sistemeve bujqësore të qëndrueshme.
“Gjatë fjalës sime në konferencën “BIOEAST and Beyond,” theksova nevojën urgjente për transformimin e sistemeve ushqimore në kushtet e ndryshimeve klimatike, ndikimin gjithnjë në rritje të këtyre ndryshimeve në bujqësi, rëndësinë e kërkimeve dhe inovacioneve për krijimin e sistemeve bujqësore të qëndrueshme, rolin kyç të bioekonomisë, si dhe domosdoshmërinë për investime në teknologji moderne për të përballuar sfidat aktuale dhe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme për sektorin bujqësor”, ka përfunduar Bexheti.