Këshilli Socio-Ekonomik i Komunës së Tetovës, në mbledhjen e mbajtur së fundmi, ka zgjedhur me shumicë votash Drilon Isenin si kryetar të ri të këtij organi këshilldhënës. Votimi u zhvillua në atmosferë bashkëpunuese, ku anëtarët e këshillit vlerësuan lartë përvojën profesionale dhe angazhimin e Isenit në fushën e zhvillimit ekonomik dhe dialogut social.
Në fjalimin e tij pas zgjedhjes, Drilon Iseni falënderoi anëtarët për besimin dhe theksoi se prioritet i tij do të jetë forcimi i komunikimit ndërmjet institucioneve, biznesit dhe komunitetit lokal.
“Tetova ka një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik dhe social. Si Këshill, do të punojmë në nxitjen e projekteve zhvillimore dhe në krijimin e kushteve më të mira për rritje ekonomike dhe mirëqenie për qytetarët,” u shpreh Iseni.
Këshilli Socio-Ekonomik shërben si platformë për analizimin dhe adresimin e çështjeve kyçe për zhvillimin e komunës, përfshirë punësimin, zhvillimin ekonomik, dialogun social dhe bashkëpunimin ndër-institucional. Me zgjedhjen e kryetarit të ri, priten iniciativa të reja dhe një qasje më dinamike drejt sfidave të Tetovës.

