Skuadra kampione e Kosovës, Drita, do ta mbyllë fazën e grupit në UEFA Conference League me një përballje të vështirë kundër Rayo Vallecanos sonte, nga ora 21:00, në “Estadio de Vallecas”.
Rayo Vallecano renditet e shtata me 10 pikë, ndërsa Drita me dy pikë më pak mban vendin e 19-të. Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka theksuar se skuadra e tij është e përgatitur për sfidën, edhe pse fushat në Spanjë janë më të vogla se ato në Prishtinë. Ai shtoi se, pavarësisht se favorit është skuadra spanjolle, Drita do të japë maksimumin dhe do të kënaqej edhe me një barazim.
Skuadra gjilanase do të ketë mungesa të rëndësishme për shkak të lëndimeve: Rron Broja, Vesel Limaj dhe Faton Maloku nuk do të jenë të gatshëm për këtë takim, por trajneri Ramadani beson te cilësia dhe përkushtimi i lojtarëve të tjerë.
Mbrojtësi Besnik Krasniqi e vlerësoi Rayo Vallecanon si një nga favoritët për të fituar Ligën e Konferencës, por nënvizoi gatishmërinë e Dritës për t’u përballur me ta. Nga ana tjetër, trajneri i Rayo Vallecanos, Inigo Perez, dhe qendërmbrojtësi Florian Lejeune e cilësuan Dritën si një ekip të fortë, energjik dhe të organizuar mirë.
Kjo do të jetë përballja e parë e Dritës me një skuadër spanjolle në historinë e saj në kompeticionet evropiane.


