TIRANË – Këshilli i Mandateve është përfshirë nga debate të ashpra dhe tensione këtë të premte, ndërsa po shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres, Belinda Balluku. Mbledhja, e cila po zhvillohet me dyer të mbyllura, ka në qendër një “mal” me prova të dorëzuara nga prokurorët Klodian Braho dhe Enkeled Prençi, të cilat janë përmbledhur në një USB me mbi 10,000 faqe material hetimor.
Përplasja për USB-në dhe afatet e mbrojtjes Sipas burimeve brenda mbledhjes, mbrojtja e Ballukut ka kërkuar një afat prej tre javësh për t’u njohur me aktet, kërkesë kjo që është mbështetur nga anëtarët e Partisë Socialiste. Megjithatë, SPAK ka kundërshtuar prerë çdo tentativë për zvarritje. Kryeprokurori Klodian Braho dhe prokurori i çështjes Prençi, kanë deklaruar se një afat prej 3 deri në 5 ditë është më se i mjaftueshëm për avokatin që të ndërtojë mbrojtjen, duke kërkuar kështu përshpejtimin e procedurave.
Tensionet politike: Bardhi vs Balla Mbledhja u shoqërua me përplasje mes Gazment Bardhit, i cili kërkoi hapjen e mbledhjes për publikun, dhe Taulant Ballës, i cili insistoi në ruajtjen e sekretit hetimor. Ndërkohë, opozita ka ngritur alarmin për intimidim të dëshmitarëve dhe mbrojtje politike të Zv.Kryeministres nga ana e qeverisë. Gent Strazimiri pyeti prokurorët nëse ka një urgjencë për përfundimin e hetimit, duke pasur parasysh faktin se Balluku nuk ka dhënë dorëheqjen dhe vijon të jetë në post drejtues, çka sipas tij mund të dëmtojë procesin.
Çfarë përmban “Dosja Balluku”? Ndonëse relacionet po lexohen në fshehtësi, USB-ja me 10 mijë faqe mendohet se përmban dokumente zyrtare, përgjime dhe prova që implikojnë zyrtaren e lartë në afera që po hetohen nga SPAK. Vendimi i Këshillit të Mandateve do të përcaktojë nëse Balluku do të mbetet pa imunitet, duke i hapur rrugë kontrollit të banesës apo masave të tjera shtrënguese që mund të kërkojë prokuroria.


