Edhe Sllovenët po bojkotojnë tregjet për shkak të çmimeve të larta
Në Slloveni është duke u zhvilluar një bojkoti i blerjeve në disa qendra tregtare dhe supermarkete, raportohet nga mediat në rajon.
Sipas informacioneve, bojkoti do të zgjasë deri më 2 shkurt, pas së cilës qytetarët ftohen të vazhdojnë bojkotin në disa rrjeta tregtare të tjera nga 3 deri më 9 shkurt.
Bojkoti disa ditor i blerjeve në Slloveni erdhi pas bojkotit të suksesshëm të qytetarëve kroatë në Kroaci javën e kaluar, kur, për vetëm një ditë abstinencë nga shkuarja në dyqane, numri i faturave të lëshuara u ul me 53 për qind.
“Bojkotet janë një shprehje legjitime dhe e fuqishme e pakënaqësisë. Bboykoti mund të dërgojë një mesazh të fuqishëm tek tregtarët për rëndësinë e aksesueshmërisë dhe çmimeve të drejta”, thonë nga Shoqata e Konsumatorëve të Sllovenisë (ZPS).
Ata theksuan se “sigurisht është e drejtë që konsumatorët të shprehin pakënaqësinë e tyre në mënyrë të duhur”.
“Së fundmi, ata kanë fuqinë të vendosin se kujt dhe për çfarë do të shpenzojnë paratë e tyre”, shtojnë nga Shoqata e Konsumatorëve të Sllovenisë.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave të Republikës së Sllovenisë (SURS), ushqimi tani është në mesatarisht 44 për qind më i shtrenjtë se para dhjetë vitesh. Rritja e çmimeve është ngadalësuar pak vitin e kaluar.
“Çmimet e ushqimit në vitin 2024 në Slloveni u rritën me 2 për qind krahasuar me vitin 2023 dhe duhet theksuar se këto çmime i kemi krahasuar me çmimet e shportës, të cilat ishin drastikisht më të ulëta”, tha presidentja e Dhomës së Tregtisë të Sllovenisë, Marica Lah.
Ajo theksoi se rritja e çmimeve të ushqimit tek tregtarët sllovenë është më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian.