Më 30 dhjetor 2025, Danimarka do të shpërndajë letrën e fundit zyrtare përmes postës kombëtare. Pas katër shekujsh traditë, digjitalizimi total po nxjerr në “pension” kutitë e kuqe postare.
KOPENHAGË, 21 DHJETOR 2025 – Një histori që nisi në vitin 1624 po i vjen fundi. Shërbimi postar danez, “PostNord”, ka njoftuar se do të ndalojë shpërndarjen e letrave, duke u fokusuar tashmë vetëm te dërgesat e pakove dhe blerjet online.
Rënie me 90% e kërkesës
Në 25 vitet e fundit, dërgimi i letrave fizike në Danimarkë ka rënë me mbi 90%. Sot, 97% e danezëve përdorin sistemin e identitetit digjital “MitID”, duke marrë çdo njoftim zyrtar, faturë apo letër në rrugë elektronike.
“Kutitë e kuqe” në ankand
Simboli i postës daneze, kutitë e kuqe prej hekuri, nuk do të jenë më në rrugë. Kompania ka njoftuar:
-
Heqjen e 1,500 kutive postare.
-
Shkurtimin e 1,500 vendeve të punës.
-
Shitjen e kutive nostalgjike për koleksionistët (çmimi varion nga 1,500 deri në 2,000 korona).
Letra nuk vdes, por bëhet “luksoze”
Ndonëse posta shtetërore tërhiqet, një kompani private e quajtur “Dao” do të marrë përsipër shërbimin për ata pak njerëz që ende duan të dërgojnë letra fizike. Megjithatë, kjo do të jetë më e shtrenjtë dhe pullat do të blihen vetëm përmes aplikacioneve.
“Kur merr një letër të shkruar me dorë sot, e di që dikush ka shpenzuar kohë dhe para për ty. Vlera e saj emocionale është rritur,” thonë ekspertët e muzeut të komunikimit në Kopenhagë.


