“Dasma që s’do të ndodhë kurrë, Mickoski dhe Ahmeti në një qeveri!” – kështu e ka quajtur Granit Osmani nga VLEN idenë e një pakti të mundshëm mes liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.
Sipas Osmanit, disa analistë të paguar po përpiqen t’ua shesin qytetarëve këtë skenar të rremë si një “dasmë politike”, por e vërteta është e thjeshtë: një qeveri e tillë nuk do të ndodhë kurrë.
“Afatin e zgjedhjeve nuk e caktojnë analistë të paguar dhe as ata që ikën. Vetëm vota sovrane e qytetarëve është ajo që vendos. Ndërsa kjo votë nuk njeh marrëveshje të fshehta e as skenarë të shkruar nga persona ‘non grata’ të arratisur në ekzil,” ka shkruar Osmani.
Ai ka theksuar se flitet për dy botë të papajtueshme që nuk mund të ndajnë pushtetin në të njëjtën qeveri, ndërsa çdo pretendim ndryshe është vetëm manipulim për të dekurajuar votuesit.
Në të kundërtën, Osmani shprehet se realiteti i ri politik po ndërtohet nga VLEN, përmes një fushate derë më derë, me punë konkrete dhe vëmendje ndaj halleve të qytetarëve. “Ne nuk bëjmë pazare të pista dhe nuk e ndërrojmë emrin më shpesh se çorapet, ne ofrojmë transparencë, përgjegjësi dhe një jetë më të dinjitetshme për çdo qytetar,” ka theksuar ai.
Osmani mbyll reagimin e tij me mesazhin: “Kushdo që përpiqet ta dekurajojë popullin me lojëra dhe skenarë të rremë, duhet ta dijë: popullin nuk mund ta mashtroni. Vetëm vota popullore përcakton qeveritë dhe jo klanet e vjetra që jetojnë në arrati.”