SHKUP – Posta e Maqedonisë pritet të nisë vitin e ri me një transformim rrënjësor në infrastrukturën e saj transportuese. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, njoftoi sot se muajin e ardhshëm këtij institucioni do t’i dorëzohen 100 automjete të reja si donacion nga Qeveria.
Sipas planit të modernizimit, flota e re do të përbëhet nga 90 furgonë të vegjël dhe 10 furgonë të mëdhenj, të cilët do të shpërndahen për të lehtësuar procesin e shpërndarjes së dërgesave dhe për të përmirësuar kushtet e punës për punonjësit e postës.
Gjatë takimit të organizuar nga Agjencia për Postat, Nikolloski theksoi se ky është vetëm fillimi i një programi më të gjerë mbështetës.
“Po punojmë në një program që do të ofrojë ndihmë shtesë për Postën në aspektin e softuerit, makinave moderne për klasifikimin e letrave dhe paketave, si dhe përmirësimin e hapësirave të punës,” deklaroi Nikolloski.
Qëllimi i këtyre investimeve është që Posta e Maqedonisë të jetë konkurruese në tregun e lirë dhe të ofrojë shërbime më cilësore dhe më të shpejta për qytetarët. Ministri shtoi se bashkëpunimi me Agjencinë për Postat mbetet kyç për realizimin e këtyre reformave që synojnë rritjen e efikasitetit të këtij institucioni jetik.


