Nuredini: Partinë e bëjnë anëtarët e sinqertë dhe jo vulat e Gjykatave
![](https://i0.wp.com/kohanews.com/wp-content/uploads/2025/02/yllka-nuredini-780x439-1.png?resize=780%2C439&ssl=1)
Kryetarja e Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët (FRASH), Yllka Nuredini, ka reaguar në raport me vendimin e fundit të Gjykatës Themelore të Tetovës, duke thënë se partinë e bëjnë aktivistët dhe anëtarët e sinqertë të Aleancës për Shqiptarët dhe jo vulat e Gjykatave, në labirintet e të cilës është ndarë vite me radhë padrejtësi.
“Përkrahja e madhe popullore ndaj Arben Taravarit shihet në takime me aktivistë e qytetarë, në çdo qytet e fshatë që shkojmë t’i takojmë përkrahësit tanë dhe ta bëjmë ristrukturimit e partisë. Aty po takojmë numrin më të madh të përkrahësve që kanë qenë afër nesh në kohë të vështira dhe të mira.
Kjo është pasqyra e vërtetë, kjo është Aleanca që e dëshirojnë aktivistët tanë. Aleanca në përkrahje të popullit dhe jo Aleanca që bëhet patericë e BDI-së”, ka shkruar ajo.
Kryetarja Yllka Nuredini, ka shtuar se vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore është rikthim i borxhit ndaj Ziadin Selës, i cili i shërbeu BDI-së dhe Artan Grubit në mënyrë të ndershme gjatë zgjedhjeve.