SHKUP, 25 dhjetor 2025 – Tradita e rritjes së çmimeve në prag të festave të fundvitit ka goditur sërish xhepat e qytetarëve. Edhe pse institucionet paralajmëruan masa, tregjet dhe marketet po përballen me një valë të re shtrenjtimesh, duke e bërë të vështirë sigurimin e sofres festive.
Ankesat e qytetarëve: “Mishi dhe frutat janë bërë luks”
Në vëzhgimet e bëra në terren, qytetarët shprehen të revoltuar me ndryshimin e përditshëm të çmimeve.
-
“Çmimet janë super, sa më të larta që mund të jenë. Mishi është shtrenjtuar më së shumti, i ngritën çmimet për gjithçka,” thotë një qytetare.
-
Një tjetër banor shton se dyqanet janë bërë “zjarr” dhe se çdo ditë ka lëvizje të çmimeve, veçanërisht për produktet standarde si mollët (50 denarë) dhe mandarinat (40-50 denarë).
Sindikatat: Masat e shtetit dështuan te konsumatori
Ivan Peshevski, Nënkryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), ka kërkuar ndërhyrje urgjente dhe gjoba të rënda për tregtarët. Sipas tij, ndërhyrja e shtetit në marzhe solli një rezultat qesharak në kursime:
“Në fund të muajit, masat sollën rezultat jo më shumë se 100-200 denarë në shportën sindikale, ndërsa qytetarët u dëmtuan për më shumë se 1000 denarë për shkak të rritjeve të tjera.”
Inspektorati në terren: Priten analiza për Qeverinë
Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut konfirmojnë se ekipet janë në terren në të gjithë shtetin. Ata po kryejnë analiza që do t’i dërgohen Ministrisë së Ekonomisë dhe Qeverisë, të cilat do të kenë fjalën e fundit nëse do të ketë ngrirje të reja të çmimeve apo masa të tjera ndëshkuese për rritje drastike të paarsyeshme.


