SHKUP – Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, është pozicionuar qartë kundër idesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke bërë thirrje për respektimin e mandateve të rregullta katërvjeçare.
Gjatë një brifingu me gazetarët të mbajtur këtë të hënë, Gashi theksoi se mbajtja e vazhdueshme e proceseve zgjedhore jashtë afateve të rregullta po dëmton rëndë ekonominë dhe stabilitetin politik të vendit.
“Qytetarët të na vlerësojnë në fund të mandatit”
Sipas kryeparlamentarit, matësi i vetëm i vërtetë i suksesit të një qeverie është realizimi i programit deri në fund.
“Mendoj se duhet të përpiqemi të përfundojmë mandatet dhe më pas qytetarët të na vlerësojnë për atë se sa kemi realizuar nga ajo që kemi premtuar. Në gjysmën e mandatit nuk mund të thuhet se e kemi përfunduar punën,” deklaroi Gashi.
Ai shtoi se ndonëse preferon stabilitetin, vendimi final u takon 61 deputetëve të Kuvendit, të cilët kanë fuqinë legjitime për të përcaktuar fatin e legjislaturës.
Qeveria Teknike: Një model i tejkaluar?
I pyetur mbi nevojën e qeverisë teknike (modeli i Përzhinës), Gashi u shpreh skeptik. Ai vlerësoi se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, ka treguar maturi në organizimin e zgjedhjeve të fundit, të cilat u pranuan nga të gjitha palët pa kontestime.
“Nuk është e përshtatshme të formojmë qeveri teknike për të organizuar zgjedhje të parakohshme, aq më tepër që proceset e fundit zgjedhore po zhvillohen normalisht dhe pa vërejtje,” përfundoi ai.


