A ju kam thënë?

A ju kam thënë?

 

Shkrim nga Menduh Thaçi

 

Ali Ahmeti nuk e bëri kurrë shtetësinë e shqiptarëve kushtetuese – prandaj

humbja e tij është vetëm kthimi në pikën zero i një mashtrimi politik.

Menduh Thaçi

A ju kujtohet ajo fjalia ime e shtatorit për Ali Ahmetin: “Kur nuk frikësohet

më askush nga lufta dhe flamuri yt, ti je vetëm një kujtim politik që ende

nuk është zëvendësuar.”

Tani më thoni: a nuk ndodhi pikërisht kjo?

A ju kam thënë?

Nuk është as hakmarrje, as krekosje, as krenari kur njeriu kujton se çfarë

ka paralajmëruar dhe kur çdo gjë ndodh ashtu siç është thënë. Është

vetëm dhembje për një rrugë të humbur.

Kjo është një letër publike që nuk synon të festojë humbjen e askujt. Është

një dëshmi për atë që kam thënë, për atë që kam parë dhe për atë, së cilës

kam refuzuar t’i bashkohem.

Kur refuzova të hyj në zgjedhjet e fundit, më quajtën ‘i dorëzuar’. Më

quajtën ‘plak politik’. Më quajtën ‘i parëndësishëm’. Por, unë nuk isha asnjë

nga këto. Isha njeriu që e njihte shtratin e kësaj përmbytjeje. Dhe sot, mbi

ujërat që lanë gurët e vjetër, unë po ju flas edhe një herë.

Kam thënë se Ali Ahmeti nuk ka ndërtuar një sistem kushtetues për

shqiptarët. Ka ndërtuar një sistem premtimesh politike që varen nga vullneti

i maqedonasve. Ka bërë marrëveshje që nuk shkruhen në ligj. Ka jetuar

mbi një pushtet që nuk është i garantuar në Kushtetutë.

Dhe kështu, sa herë që maqedonasit ndryshojnë mendje, shqiptarët

kthehen në pikën zero. Kjo është ajo që ndodhi. Dhe kjo është ajo që

ndodh gjithmonë kur të drejtat nuk janë të normuara me Kushtetutë, por të

deleguara si favore politike – grupore apo personale.

Është e thjeshtë: VMRO fitoi. Por nuk fitoi vetëm. Fitoi me ndihmën e

shqiptarëve të ndarë. Fitoi me ndihmën e një Albin Kurti që nuk e kuptoi

kurrë Maqedoninë e Veriut. Ose ndoshta e kuptoi, por kishte prioritet tjetër.

 

Mickoski e poshtëroi Ali Ahmetin në Kërçovë, në shtëpinë e tij. E rrëzoi

Taravarin në Gostivar. E mundi Zijadinin në Dibër dhe në Strugë. E mundi

gjithandej.

Por pastaj bëri diçka më të rëndë: e përçmoi Albin Kurtin dhe e përdori për

të marrë votën shqiptare e për ta braktisur më pas. I tregoi se Kosova nuk i

duhet. Shqipëria nuk i duhet. Atij i duhen vetëm shqiptarët që e ndihmojnë

të bëhet zot i shtetit.

Pa organizim politik, nuk ka popull – ka vetëm mëhalla, katunde dhe

shehre (qytete).

Dhe kjo nuk ndodh rastësisht. Ndodh sepse nuk ka më organizim politik

shqiptar. Ka vetëm mëhalla e feude. Ka vetëm grupe nepotiste që kërkojnë

hisen e tyre, jo të drejtën e përbashkët. Dhe aty ku ka feude, nuk ka më

barazi. Ka thërrime, ka troshka.

Mickoski dhe maqedonasit nuk e duan një shtet multietnik. Ata duan një

shoqëri multietnike, ku shqiptarët janë komunitet, jo shtetformues.

Dhe sa herë që shqiptarët i nënshtrohen këtij modeli, e bëjnë veten më pak

se ç’kanë qenë.

Në vitin 2001 u keqpërdorën aspiratat historike të shqiptarëve. Atëherë

politika shqiptare ishte Partia Demokratike Shqiptare (PDSH). Luftën e

bënë shqiptarët dhe Kosova – politikën e bëri PDSH. Sot nuk ka as luftë,

as politikë. Ka spektatorë që çojnë flamuj në protesta dhe presin që t’u vijë

ftesa për koalicion.

 

Riorganizimi politik është i vetmi shpëtim

Nuk ka më asnjë rrugë tjetër përveç riorganizimit politik shqiptar – një

organizim që e vendos barazinë në Kushtetutë, që e shkruan të drejtën, jo

vetëm e premton atë, që e ndan pushtetin jo si favor dhe nder, por si

detyrim ligjor dhe kushtetues.

Shqiptarët nuk duhet të kërkojnë më vend në qeveri. Duhet të kërkojnë

vend në Kushtetutë. Sepse kur të drejtat nuk janë të shkruara, ato mbeten

vetëm nënshkrime që fshihen sa herë t’u teket maqedonasve.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com