Shefi i Shtabit zgjedhor të VLEN-it, Adnan Azizi, gjatë hapjes së shtabit zgjedhor në Bogovinë deklaroi se koalicioni është i bindur në fitoren e çdo beteje politike.
Duke aluduar në opozitën shqiptare, ai tha se ata gjenden në “panik total” dhe “dezorganizim të thellë”, ndërsa, sipas tij, përdorin shpifje të pabaza.
“E shihni, këto të zullumit kanë ngritur një arsenal të jashtëzakonshëm shpifjesh. Dje në Parlament u thashë: për çdo shpifje do të keni 100 përgjigje, sepse argumentet mbeten kokëforta”, theksoi Azizi.
Ai kujtoi periudhën e formimit të qeverisë, duke akuzuar opozitën shqiptare se pranoi kompromise vetëm për të hyrë në pushtet.
“Për t’u bërë pjesë e qeverisë dhe për të ruajtur karrigen, ata hoqën dorë nga posti i kryetarit të Parlamentit dhe nga dy ministri më shumë, vetëm për të spostuar VLEN-in”, tha ai.
Azizi gjithashtu sqaroi sulmet e fundit ndaj tij, duke theksuar se është takuar me kryeministrin Mickoski.
“Unë u takova me kryeministrin dhe ai shprehu keqardhje për linqet që i kishin dërguar me trillime e montime të fjalëve të mia. Nuk jam shprehur kundër bashkëqytetarëve tanë, por kundër Bujarit dhe BDI-së, që me hipokrizi mbështetën ‘Ballkanin e Hapur’ duke shitur patriotizëm”, përfundoi Azizi.