Shefi i shtabit qendror të koalicionit VLEN dhe deputeti Adnan Azizi ka shprehur mirënjohje për qytetarët që morën pjesë në zgjedhjet lokale, duke i cilësuar ato si më të ndershmet dhe më demokratiket në historinë e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia e vendit.
“Të dashur qytetarë, më lejoni t’ju falënderoj nga zemra për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet lokale dhe për vetëdijen e lartë qytetare e demokratike që e dëshmuam. Këto zgjedhje ishin të lira, pa presione, pa shantazhe dhe pa asnjë incident serioz. Ishin zgjedhjet më korrekte dhe më demokratike që ka parë Maqedonia e Veriut që nga pavarësia”, shkroi Azizi.
Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të tejkalojnë ndarjet partiake dhe të punojnë së bashku për të ardhmen e përbashkët.
“E shfrytëzojmë këtë atmosferë pozitive për t’i ftuar të gjithë shqiptarët që t’i lënë anash ndarjet partiake, t’ia zgjasim dorën njëri-tjetrit dhe të jetojmë si vëllezër. Prej sot, për ne nuk ka ‘tanët’ dhe ‘tuajt’. Të gjithë shqiptarët janë të barabartë dhe do të punojmë për secilin prej tyre, si në pushtetin qendror ashtu edhe në komunat ku jemi fitues”, shtoi ai.
Azizi gjithashtu ka përgëzuar AKI-në për fitoret në Likovë dhe Pllasnicë, si dhe për fitoren e përbashkët të shqiptarëve në Çashkë. Ai u bëri thirrje aktivistëve të VLEN-it të angazhohen maksimalisht për fitore në komunat ku koalicioni shkon në balotazh.
“Ju faleminderit për përkrahjen dhe vetëdijen e lartë politike që e dëshmuat të dielën. Nga sot, u bëj thirrje të gjithë aktivistëve të angazhohen për fitoren e madhe të VLEN-it në çdo komunë ku garojmë në balotazh. Jemi favorit absolut në të gjitha komunat”, përfundoi Azizi.