Afati po afron: Ja sa regres do të marrin punëtorët deri më 31 dhjetor

Deri në fund të vitit, punëtorëve në Maqedoninë e Veriut duhet t’u paguhen së paku 300 euro regres për pushimin vjetor (i njohur si K-15), konform detyrimit ligjor që e obligon sektorin privat dhe atë publik.

Sipas Ligjit për Marrëdhënie Pune, punëdhënësit janë të obliguar që deri më 31 dhjetor të paguajnë regres në vlerë minimale prej 40% të pagës mesatare, e cila për këtë vit për sektorin privat arrin në 18.141 denarë. Shuma maksimale mund të jetë deri në 100% të pagës mesatare.

Në sektorin publik, administrata shtetërore merr regres më të ulët – rreth 12.372 denarë, që është rreth 100 euro më pak sesa punonjësit në sektorin privat.

Vitin e kaluar janë regjistruar vetëm 22 ankesa për mos-pagesë të K-15 nga gjithsej 4.000 punëtorë të anketuar, kryesisht nga tekstili, një sektor ku shpesh paraqiten shkelje të të drejtave të punëtorëve.

Punëtorët që nuk e marrin shumën minimale të përcaktuar me ligj mund të paraqesin ankesë në Sindikatë ose në Inspektoratin Shtetëror të Punës.

K-15 mbetet një prej të drejtave kryesore të punëtorëve, ndërsa autoritetet theksojnë rëndësinë e raportimit të çdo shkeljeje për të siguruar zbatimin e plotë të ligjit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT