Takimi u mbajt me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Habitat Maqedoni; Gashi theksoi nevojën për ndërgjegjësim më të madh për banimin social dhe varfërinë energjetike.
Sot, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua me përfaqësues të rrjetit global amerikan “Habitat for Humanity International” dhe me drejtues të “Habitat Maqedoni”, në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të themelimit dhe veprimtarisë së këtij organizmi në vendin tonë.
Në takim, Kryetari Gashi uroi përvjetorin dhe theksoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë bashkëpunim të institucionalizuar midis Kuvendit dhe Habitat Maqedoni. Ai nënvizoi rëndësinë e krijimit të një partneriteti të qëndrueshëm, duke theksuar se bashkëpunimi i ardhshëm do të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit për banimin social, efikasitetin energjetik dhe uljen e varfërisë energjetike.
“Kuvendi, përmes iniciativave ligjore të deputetëve, duhet të jetë katalizator i ndryshimeve që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve. Institucionalizimi i bashkëpunimit me Habitat do ta bëjë këtë mision më të prekshëm dhe më të dukshëm”, deklaroi Gashi.
Nga ana tjetër, drejtori nacional i “Habitat Maqedoni”, Zoran Kostov, e falënderoi Kryetarin e Kuvendit për organizimin e takimit dhe vlerësoi hapin si një moment të rëndësishëm në historinë e bashkëpunimit me institucionet shtetërore. Ai kujtoi se pas 13 vitesh debat publik, Ligji për banim u miratua gjatë mandatit aktual parlamentar, duke e cilësuar këtë si një arritje me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
“Transparenca dhe gatishmëria për dialog e Kryetarit dhe Kuvendit janë shembull se si përfaqësimi i qytetarëve mund të përkthehet në ligje më cilësore dhe politika sociale më efektive”, tha Kostov.
Pjesëmarrësit në takim u pajtuan se çdo aktivitet që synon mirëqenien njerëzore duhet të jetë prioritet i politikës. Ata theksuan se e drejta për një jetë dinjitoze dhe për strehim të sigurt është një e drejtë universale, ndërsa përfshirja e banimit si temë strategjike në agjendën politike është thelbësore për përparimin e shoqërisë.