Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar dy kryetarët e rinj të komunave në Maqedoninë e Veriut, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, pas fitores së tyre në zgjedhjet lokale. Ai ka theksuar se suksesi i tyre është rezultat i punës së ndershme dhe i projekteve konkrete që kanë sjellë besimin e qytetarëve.
“Izeti dhe Bilalli triumfuan me meritë, sepse me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen me diferencë të thellë,” – ka shkruar Kurti në reagimin e tij.
Sipas tij, fitorja e VLEN-it në dhjetë komuna, nga Çairi në Tetovë, është dëshmi e qeverisjes së mirë dhe e vullnetit për ndryshim te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Kurti vlerësoi se në 15 muajt e parë të qeverisjes, VLEN-i ka dëshmuar integritet politik, pa korrupsion dhe pa skandale, duke krijuar një “dallim etik” me qeverisjet e mëparshme.
Ai shtoi se kjo frymë e re politike ka forcuar ndjeshëm bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke përmendur takimet ndërqeveritare dhe menaxhimin e përbashkët të kufirit si shembuj të këtij progresi.
“Kosova mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoninë e Veriut si dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë,” – përfundoi Kurti.

