Pas Strugës dhe vendbanimeve përreth, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti takimet i vazhdoi në Dibër bashkë me qytetarë dhe nga Qendër Zhupa dhe Mavrovë Rostusha, ku përveç falenderimeve, nga qytetarët kërkoi mbështetje për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj.
Ai tha se Fronti Evropian do të jetë fitues në zgjedhjet e 8 majit dhe se populli vendos se kush do të jetë pjesë e Qeverisë.
“Opozitarët mos të bëjnë gabimet që i ka bërë kolegu im i mëhershëm në vitin 2006 dhe partia e atëhershme e bëri atë gabim dhe pagoi kosto të lartë. Shqiptarët nuk janë sahan lëpirës, ne nuk jemi përfaqësues të një minoriteti, ne jemi përfaqësues legjitim i shumicës dërmuese të shqiptarëve dhe tani në Front janë edhe komuniteti rom, turk, boshnjak. Kështu që me ata qyfyrë që i këndojnë, asnjëherë nuk vendosin ata, vendos populli. Pra me 8 maj të gjithë të votoni Frontin, sepse votohet për integrimin dhe izolimin. Vota do hidhet për integrim apo për izolim. Nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së. Sot ndryshe ndjehemi si anëtarë të NATOS- sepse të gjithë kujdesen për paqen stabilitetin dhe sigurinë e vendeve anëtare. Luftërat nuk i kemi larg, ja ku zhvillohen, Ukrainë, Rusi e në Lindjen e afërt’, tha lideri i BDI-së Ahmeti.
Më tej theksoi se të gjithë bashkë duhet të ndërtojmë paqen, stabilitetin, ardhmërinë dhe bashkë të vendosim standarde europian dhe të luftojmë krimin e korrupsion.
“Pse nuk bëhen të guximshëm të votojnë vetingun dhe të pastrojmë figurat politike. Të votojmë dhe jo të merren me përalla për çdo ditë sepse unë nuk jam as hetues as prokuror e as gjykatës. Kështu që, ky vend – vendin e ka në Europë dhe për këtë vend duhet të punojmë bashkë, maqedon e shqiptarë dhe jo t’i kthehemi të kaluarës e të hidhërohen pse unë kam bërtit UÇK, por UÇK-ja është krenari shqiptare dhe UÇK-ja ka shpëtuar Maqedoninë”, theksoi Ahmeti.