Amir Idrizi emërohet Zëvendëskryetar i Komunës së Sarajit

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, ka prezantuar zyrtarisht Amir Idrizin si Zëvendëskryetarin e ri të komunës. Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi publik, ku Elmazi vlerësoi lartë profesionalizmin dhe angazhimin e Idrizit.

Sipas kryetarit, Idrizi sjell përvojë institucionale, integritet dhe njohuri të thella mbi nevojat dhe sfidat e komunitetit të Sarajit. Ai cilësohet si një profil që do të kontribuojë në forcimin e administratës dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

“Angazhimi dhe vizioni i tij do të jenë vlerë e shtuar për komunën tonë. Së bashku do të vazhdojmë punën për zhvillimin e Sarajit, transparencë dhe projekte konkrete”, shkroi Elmazi.

Kryetari gjithashtu i uroi Idrizit suksese në detyrën e re, duke shprehur bindjen se ai do të luajë rol të rëndësishëm në realizimin e objektivave komunale.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT