Anije evropiane kalon Ngushticën e Hormuzit – një pikë kthese

Sipas të dhënave të disponueshme, anija franceze CMA CGM Kribi ka kaluar me sukses përmes Ngushticës së Hormuzit. Ky është kalimi i parë i regjistruar i një anijeje evropiane që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.

 

Në mes të përplasjes mes SHBA-së dhe Izraelit, Irani mori kontrollin dhe bllokoi pjesërisht trafikun në këtë korridor detar, i cili është një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës dhe gazit natyror në botë. Bllokada shkaktoi krizë energjetike globale.

Irani lejon kalimin vetëm të anijeve që i konsideron miqësore, sipas itinerareve të paracaktuara dhe shpesh kundrejt pagesës. Nga ana tjetër, ka kërcënuar se do të bombardojë çdo anije që ka lidhje me SHBA-në ose Izraelin.

Edhe pse vendet perëndimore u mblodhën në Londër për të diskutuar zgjidhje për hapjen e ngushticës, duket se ende nuk ka marrëveshje konkrete. Megjithatë, anija CMA CGM Kribi, në pronësi të kompanisë franceze CMA CGM, arriti të kalojë përmes ngushticës – një zhvillim i parë pozitiv për tregtinë globale që nga fillimi i konfliktit, raporton Bloomberg.

Anija u nis nga ujërat e Dubait të enjten dhe lundroi përgjatë bregut iranian pranë ishujve Qeshm dhe Larak, duke mbërritur në afërsi të kryeqytetit të Omanit, Muskat, të premten në mëngjes. Edhe pse ishte pothuajse plotësisht e ngarkuar, përmasat e saj janë më të vogla se ato të anijeve kineze, çka tregon se Irani nuk ka ndërmend të zbutë menjëherë kufizimet, por ky kalim mbetet një sinjal i rëndësishëm për tregtinë ndërkombëtare.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT