Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, përmes një postimi të fundit ka kujtuar me respekt të thellë Arben Sejdiun, Sabahate Tolajn dhe Isuf Haklajn, tre ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që më pas dhanë jetën si policë në detyrë.
Sipas Qunit, këta emra simbolizojnë kalimin heroik nga luftëtarë të lirisë në mbrojtës të rendit dhe ligjit, duke u përballur me sfida të mëdha dhe rrezik nga krimi i organizuar. Ai thekson se sakrifica e tyre ishte dyfishe: për liri dhe për shtetndërtim, dhe se vrasja e tyre la një plagë të hapur në kujtesën e shtetit të ri.
“Arbeni, Sabahatja dhe Isufi, duke qenë aktivë në luftën çlirimtare dhe më pas në themelet e institucioneve të sigurisë, simbolizojnë sakrificën e dyfishtë: për liri dhe për shtetndërtim. Vrasja e tyre si policë në detyrë nga forca kriminale, pavarësisht përpjekjeve për zbardhjen e rasteve, ka lënë një ndjesi të fortë se drejtësia nuk është vënë plotësisht në vend. Përkujtimi i tyre çdo Nëntor është një detyrim moral dhe një zotim për të vazhduar përpjekjet kundër krimit dhe për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, ashtu siç e ëndërruan ata. Lavdi!”, shkruan Anton Quni.

