Apasiev në Zajazin e Ali Ahmetit: “Kemi marrëveshje” – dyshime për bashkëpunim mes Levicës dhe BDI-së

Kryetari i Levicës, Dimitar Apasiev, ka befasuar opinionin publik me vizitën e tij në Zajaz të Kërçovës, vendlindjen e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti – edhe pse në këtë fshat nuk jeton asnjë maqedonas.

Apasiev publikoi në profilin e tij në Facebook një fotografi nga Zajazi, të shoqëruar me përshkrimin “kemi marrëveshje”, duke nxitur reagime të menjëhershme dhe dyshime për një takim të mundshëm me Ahmetin.

Në rrjetet sociale është ndezur debati nëse kjo vizitë simbolizon një koordinim të ri politik mes BDI-së dhe Levicës, sidomos pas bashkërendimit të dukshëm që është vërejtur ditëve të fundit gjatë fushatës për zgjedhjet lokale.

Levicës i është vënë në dukje se ka kandiduar në disa komuna me shumicë shqiptare, një lëvizje që shumë analistë e kanë interpretuar si ndihmë të tërthortë për BDI-në, duke ndarë votën opozitare shqiptare.

Ndërkohë, vetë Apasiev ka qenë aktiv edhe në terren, përfshirë daljen e tij në Tetovë, ku ka provokuar publikisht Bilall Kasamin dhe ka tentuar të bindë maqedonasit e qytetit që të mos e mbështesin atë në këto zgjedhje.

Nuk është hera e parë që dy subjektet përmenden për afërsi politike. BDI dhe Levica zyrtarisht bashkëpunojnë në Qytetin e Shkupit, si dhe në disa këshilla komunalë, përfshirë ato në Veles dhe në komuna të tjera.

Kjo vizitë në Zajaz dhe postimi i Apasievit “kemi marrëveshje” po interpretohen si sinjal i qartë i një bashkërendimi politik mes Ahmetit dhe Apasievit, që tejkalon fushatën lokale dhe prek raportet e ardhshme të pushtetit në nivel shtetëror.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com