Arabia Saudite po përgatitet të zgjerojë më tej hapësirën e saj të shërbimeve të dedikuara për të huajt, duke planifikuar hapjen e dy pikave të reja ku do të mund të shiten produkte alkoolike vetëm për persona jo-myslimanë. Dyqanet e reja do të vendosen në Dhahran, ndërsa një tjetër pritet të funksionojë në Xhedë, duke i shtuar hartës së vendit një shërbim që deri para pak vitesh ishte i paimagjinueshëm.
Hapësira e parë e këtij lloji u inaugurua në Riad vitin e kaluar dhe iu dedikua ekskluzivisht diplomatëve të akredituar në Mbretëri. Ajo shënoi kthesën e parë të dukshme në një politikë kufizuese 7-dekadëshe, çka pasqyron ndryshimet që ka nisur princi i kurorës, Mohammed bin Salman, në kuadër të transformimit të gjerë social dhe ekonomik të vendit.
Burime të cituara nga Reuters tregojnë se dyqanet në Dhahran do të vendosen brenda një kompleksi të kompanisë së naftës Aramco, duke ofruar një kanal të rregulluar për furnizim për punonjës të huaj që jetojnë në zonë. Deri pak kohë më parë, rrugët e sigurimit të alkoolit për të huajt ishin shumë të kufizuara dhe shpesh të varura nga kanale diplomatike ose tregu informal.
Ndërkohë që konsumimi mbetet i ndaluar për shumicën e qytetarëve, Mbretëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të ndryshuar peizazhin social: nga lejimi i grave të drejtojnë automjete e deri te hapja e kinemave, festivaleve e aktiviteteve publike. Qasja ndaj çështjes së alkoolit megjithatë mbetet më e matur, me zyrtarët që zgjedhin të veprojnë gradualisht.
Arabia Saudite po investon fuqishëm në turizëm dhe zhvillime të mëdha si projekti “Red Sea Global”, i cili parashikon hapjen e mbi një duzine hotelesh të reja. Debati rreth mundësisë së shitjes së alkoolit në zona turistike është shfaqur disa herë në arenën ndërkombëtare, por autoritetet saudite janë treguar të kujdesshme në çdo hap që lidhet me këtë temë.

