Arben Fetai zhvillon drekë pune me Albin Kurtin dhe drejtuesit e VLEN-it në Ditën e Alfabetit

Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka zhvilluar sot një drekë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi dhe liderët e koalicionit VLEN, në kuadër të shënimit të Ditës së Alfabetit. Takimi u mbajt në një ditë simbolike për kombin shqiptar, që rikujton vendimin historik të Kongresit të Manastirit dhe unifikimin e alfabetit shqip – një akt që vendosi themelet e identitetit gjuhësor e kulturor shqiptar.

Fetai theksoi se Kongresi i Manastirit mbetet shembull vizioni, guximi dhe përgjegjësie shtetformuese, vlera të cilat sot mbeten udhërrëfyese për proceset politike dhe integruese.

Në takim, palët uruan njëri-tjetrin për rezultatet në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, si dhe u dakorduan të forcojnë bashkëpunimin institucional për zhvillim, stabilitet dhe integrim europian.

Sipas Fetait, kur dy qeveri që ndajnë parime të përbashkëta bashkëpunojnë ngushtë, përfitues të drejtpërdrejtë janë qytetarët, ndërsa rritet besimi dhe ndërtohet e ardhmja e përbashkët europiane.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT