Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 36-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, i cili kërkohej ndërkombëtarisht për veprën penale të falsifikimit të monedhave. Arrestimi u krye gjatë operacionit të koduar “Operacionalja 73”.
I ndaluari, N. S., me origjinë nga Maqedonia e Veriut, rezultonte gjithashtu në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës për veprën penale “Vjedhja”.
Sipas autoriteteve, Gjykata Themelore e Kumanovës e ka dënuar më parë me 2 vite burg për falsifikim monedhash, çka ka bërë që ndaj tij të lëshohej urdhër arresti ndërkombëtar.
Interpol Tirana, në koordinim me institucionet kompetente të Maqedonisë së Veriut, ka nisur procedurat e nevojshme për ekstradimin e 36-vjeçarit.

