Një model i ri sizmik evropian që po qarkullon në rrjetet sociale konfirmon cenueshmërinë e Ballkanit ndaj tërmeteve, duke renditur Maqedoninë në kategorinë me rrezikun më të lartë. Harta ndan Evropën në tre nivele: zonë të kuqe me rrezik të lartë, portokalli me rrezik mesatar deri të ulët dhe të gjelbër me rrezik minimal.
Sipas të dhënave të publikuara, i gjithë Ballkani – përfshirë Maqedoninë, Kroacinë, Bosnje e Hercegovinën, Slloveninë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë – ndodhet në zonën më kritike, së bashku me pjesën perëndimore të Turqisë. Italia shfaqet pothuajse tërësisht në të kuqe, duke u dalluar si një nga vendet më të ekspozuara ndaj aktiviteteve tektonike.
Nga ana tjetër, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Skandinavia, vendet baltike dhe Polonia konsiderohen pothuajse të sigurta, ndërsa Spanja, Portugalia, Franca, Austria dhe Hungaria hyjnë në zonën portokalli.
Autorët e hartës paralajmërojnë se disa të dhëna mund të kenë kufizime, pasi thyerjet e vjetra ose joaktive nuk janë gjithmonë të pasqyruara saktë. Megjithatë, ky vizualizim rikthen në fokus nevojën për forcimin e standardeve të sigurisë sizmike dhe një qasje serioze ndaj mbrojtjes nga tërmetet në Maqedoni dhe në gjithë rajonin.

