Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, është deklaruar sot për herë të parë në Kuvend lidhur me hetimin e nisur ndaj saj nga SPAK. Në momentin që ajo mori fjalën, opozita u largua nga salla, gjë që Balluku e komentoi duke i akuzuar për “qasje me dy standarde” ndaj drejtësisë.
Balluku theksoi se nuk do të bëjë asnjë koment mbi hetimin derisa të përfundojnë procedurat dhe të jepet vendimi final. Ajo u shpreh se nuk do të flasë kundër drejtësisë, madje as kur çështja prek personalisht atë.
“Nuk do të dëgjoni kurrë nga unë akuza apo fyerje ndaj drejtësisë së re. Kam besim se ky sistem është produkt i vullnetit politik të Partisë Socialiste dhe se po bën detyrën e vet”, tha ministrja, duke shtuar se as ajo dhe as kolegët e saj socialistë nuk do të komentojnë prokurorë apo gjyqtarë.
Ajo iu drejtua edhe opozitës, e cila e braktisi sallën:
“Ju që tani po më ndiqni nga kafenetë e parlamentit, jeni ata që keni dy standarde për reformën në drejtësi dhe për SPAK. Kur SPAK thërret Sali Berishën dhe luani me zarfin që pret populli për drejtësi për ngjarje shtetërore, atëherë e akuzoni se ndikohet nga Rama.”

