Banorët e Kallnikut mbështesin kandidatin e VLEN-it për kryetar komune

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Bogovinës, Feti Abazi, zhvilloi një vizitë sot në fshatin Kallnik, ku mori pjesë në hapjen e shtabit lokal të fitores dhe u takua me banorët e vendbanimit.

Gjatë fjalës së tij, Abazi shprehu emocionin për praninë e qytetarëve dhe për eksperiencën e tij 19-vjeçare në shërbim të komunitetit:

“Prezenca e juaj sonte më ngarkon emocionalisht. U bënë 19 vite përvojë profesionale në komunë. Kam mundur t’i shërbej njerëzve sa më mirë, dhe tani t’i qajmë hallet bashkë,” – tha kandidati i VLEN-it.

Ai kujtoi se gjatë dy dekadave të fundit, premtimet për investime në komunë shpesh kanë mbetur në letra, ndërsa VLEN dhe ekipi i tij janë të vendosur të realizojnë projekte konkrete në Kallnik.

Në vizitë u përcaktuan 7 pika kryesore të zhvillimit:

  1. Projekti për rritjen e efikasitetit energjetik – izolimi i shkollës.

  2. Ndërtimi i rrethojave të shkollës.

  3. Këndi për lojëra pranë shkollës.

  4. Rregullimi i bazës dhe rrjetit të ujësjellësit.

  5. Rregullimi i rrugës Kallnik-Pallçisht.

  6. Kanalizimi i ujërave të zeza.

  7. Hapja e rrugës malore.

“Me këto hapa konkrete, synojmë të bëjmë ndryshime të prekshme në Kallnik dhe të gjithë Bogovinën,” – përfundoi Abazi, ndërsa banorët shprehën mbështetje për kandidatin e VLEN-it dhe vizionin e tij për komunën.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com