Komuna e Tetovës ka miratuar një ndryshim të Detajuarit Urbanistik me të cilin është mundësuar ndërtimi i një objekti të ri, i cili do të ngjitet te ndërtesa në Blok 70 dhe në atë mënyrë do t’i mbyll rrugën e drejtpërdrejtë për qasje me automjet, alarmojnë banorët e ndërtesave “Braka Miladinovi” nga hyrjet 213, 215 dhe 217.
Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për rreth 80 apartamente, rreth 200 persona do të kenë qasje të vështirësuar dhe njëkohësisht do t’u mbyllen dritaret nga ana që “shikon” drejt rrethrrotullimit të rrugëve “Braka Miladinovi” dhe bulevardi “Vidoe Smilevski-Bato”.
“Kjo është rruga që e përdorim për hyrje nga rruga ‘Braka Miladinovi’. Nga këtu kemi hyrë me automjete normalisht që nga viti 1983, që kur ekzistojnë këto ndërtesa. Këtu kanë kaluar ambulanca, zjarrfikëse, kamionë me dru, arkivole, si të doni thoni, mund të afrohej te ndërtesa. Tani nuk mund të ndodhë kjo për shkak se ata që po e ndërtojnë këtë objekt, duan ta ngjisin objektin e ri me ndërtesën tonë dhe të bëhet ‘ngjitëse’”, shpjegon Blagoja Mirçevski, në emër të gjithë banorëve.

Banorët e këtyre ndërtesave thonë se kur është bërë ndryshimi i Detajuarit Urbanistik, nuk është bërë në mënyrë transparente.
“Nuk dimë që ka pasur thirrje për debat publik për ndryshimin e Detajuarit Urbanistik. Mendojmë se është bërë pa e bërë publike, në interes të një investitori privat. Me planin e vjetër kishim rrugë, shihet se është trasuar, e kemi planin atë. Në planin e ri, rruga është e fshirë dhe kjo do të krijojë shumë probleme”, thonë banorët.
Ata gjithashtu i janë drejtuar komunës, por nuk kanë marrë përgjigje.
Komuna e Tetovës nuk e mohon se në lokacionin në fjalë do të ndërtohet objekti dhe se do të lidhet me ndërtesën e vjetër. Ata nuk japin përgjigje pse lejuan që rruga të mbyllet dhe pretendojnë se do të ketë mundësi për qasje me automjet nga ana tjetër, përmes lëvizjes brenda Blokut 70.

“Sipërfaqja e ndërtimit në pjesën D.U.P. 74 është ndër rrugët bulevardi ‘Vidoe Smilevski-Bato’, rruga ‘Braka Miladinovi’, rruga ‘Blagoja Toska’ dhe rruga ‘180’, ku e gjithë kjo pjesë e bllokut ka tri rrugë hyrëse nga rruga ‘180’ dhe brenda bllokut janë parashikuar rrugë trafikuese, infrastrukturë, vende parkimi, garazhe nën-tokësore me strehimore dhe hapësira të gjelbra”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Tetovës për pyetjen e gazetarëve.
Për mundësinë e qasjes nga ana tjetër, banorët theksojnë se është një zgjidhje e papërshtatshme, pasi rruga duhet të kalojë përmes disa parcelave të tjera brenda atij blloku urban./tetovoinfo

