Barcelona ka marrë një fitore bindëse 3-0 ndaj Getafes, në një ndeshje që me shumë gjasë ishte e fundit e zhvilluar në stadiumin “Johan Cruyff”, i cili ka kapacitet prej 6 mijë vendesh.
Blaugranat e nisën mbarë takimin, duke kaluar në avantazh që në minutën e 15-të me golin e Ferran Torres, pas një aksioni të shpejtë mes Raphinha-s dhe Dani Olmos. Në minutën e 34-të, Torres shënoi sërish, këtë herë pas një asistimi të saktë nga Raphinha, duke mbyllur pjesën e parë 2-0.
Në fraksionin e dytë, katalanasit vulosën fitoren në minutën e 63-të, kur Rashford asistoi për Dani Olmon, që shënoi golin e tretë.
Me këtë fitore, Barcelona arrin në 13 pikë dhe mban vendin e dytë në renditje, dy pikë prapa Real Madridit kryesues.