Bashkimi i ndal Sileksit serinë – humbja e parë për kratovasit në Kumanovë

Skuadra e Bashkimit shkaktoi befasi në xhiron e 6-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë, duke e mposhtur Sileksin deri dje të pamposhtur me rezultat 2-1 në Kumanovë. Me këtë fitore, Bashkimi i dha fund serisë prej pesë triumfesh të kratovasve dhe shënoi fitoren e tretë sezonale.

Vendasit kaluan në epërsi me golin e Avornjos në minutën e 21-të, ndërsa vetëm tetë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Aleksoski e dyfishoi avantazhin në 2-0. Në minutën e 60-të Zuka u ndëshkua me karton të kuq, dhe Bashkimi u detyrua të luajë me një lojtar më pak. Vetëm tre minuta më pas, portugezi Miguel Pires shënoi për Sileksin duke ngushtuar shifrat në 2-1.

Megjithatë, përpjekjet e mysafirëve për të marrë së paku një pikë nuk dhanë rezultat dhe u desh të pajtohen me humbjen e parë këtë sezon.

Në ndeshjen tjetër të ditës, skuadra e Maqedonia GjP në Gjorçe Petrov arriti fitoren e parë para tifozëve të vet, duke mundur AP Brerën nga Strumica me 2-0.

Rezultatet e deritanishme – Xhiroja e 6-të:

  • E martë

    • Bashkimi – Sileksi 2-1

    • Maqedonia GjP – AP Brera 2-0

  • E mërkurë

    • Tikveshi – Shkupi

    • Struga Trim Lum – Shkëndija

  • E enjte

    • Arsimi – Vardari

    • Rabotniçki – Pelisteri

TË NDRYSHME

TË FUNDIT