Bekim Jashari: Reflektim për Heroizmin dhe Lirinë e Dëshmorëve të Kosovës

“Shkoni ju, se unë po kthehem, nuk mundem me i lanë kullat e babës Shaban.”
Sa herë vjen 5, 6 dhe 7 marsi, Epopeja e UÇK-së, më vjen në mendje si një ngjarje e freskët, që kurrë nuk plaket. Më duket sikur e jetoj sërish rrëfimin e hallës për Blerimin, një ditë para fillimit të betejës.
Më 4 mars 1998, halla ishte nisur me traktor nga Prekazi i Poshtëm, së bashku me burrin, në drejtim të Prekazit të Epërm duke shkuar për në Akrashticë të Vushtrrisë. Blerimi u kishte shkuar pas me biçikletë, deri te kulla e Tahir Mehës. Aty, halla dhe dhëndri e kishin ndalur traktorin dhe i kishin thënë:
“Blerim, eja me ne, vendose biçikletën në traktor.”
Por ai, me vendosmëri dhe me një besnikëri të pashoqe ndaj kullave të të parëve, u përgjigj:
“Shkoni ju, se unë po kthehem, nuk mundem me i lanë kullat e babës Shaban.”
Kjo nuk ishte thjesht një fjali e thënë në çast. Ishte një bindje e thellë në zemrat e çdo fëmije të familjes sonë. Askush nuk donte të largohej nga familja, nga vëllezërit, nga komandanti legjendar Adem Jashari.
Një ditë më pas, më 5 mars, ishin pikërisht këta fëmijë që nuk e ndalën pushkën e lirisë, duke rënë heroikisht bashkë me komandantin, me babushin, me babën Shaban.
Sot, 27 vite më pas, fëmijët këndojnë të lirë dhe plot ëndrra në Kosovën e pavarur. Dhe kjo liri e shpaguan çdo sakrificë, çdo pikë gjaku të derdhur nga fëmijët e familjes, të lagjes dhe të mbarë Kosovës.
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës!
Kjo është Kosova jonë martire!