Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka vizituar sot banorët e fshatit Llacë, të cilët më 19 tetor, sipas tij, u përcaktuan për “zhvillim dhe dinjitet”. Kasami u shpreh mirënjohës për mbështetjen që ka marrë nga familjet e këtij fshati, duke theksuar se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Dolëm për t’i falënderuar për mbështetjen që na e dhanë. Mirënjohje për çdo votë dhe për çdo familje që qëndroi me vizionin tonë për Tetovën,” deklaroi Kasami.
Ai tha se procesi politik është ende në vijim dhe theksoi se më 2 nëntor pret të konfirmohet fitorja që e quan të merituar për Tetovën.
“Rrugëtimi ynë vazhdon dhe më 2 nëntor, bashkë do ta përmbyllim këtë fitore,” shtoi kryetari i komunës.
Kasami po zhvillon takime në terren me qëllim konsolidimin e mbështetjes për rundin e ardhshëm zgjedhor.


