Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bashkë me Ministrin e Sportit Borko Ristovski dhe zv/ministren Safije Shahini Sadiki, kanë inspektuar sot punimet në Qendrën Sportive në Tetovë.
Brenda kompleksit po ndërtohet stadiumi i ri me bar natyral, ndërsa në stadiumin aktual po bëhet mbulimi i tribunave dhe rregullimi i ndriçimit për zhvillimin e ndeshjeve gjatë natës. Krahas kësaj, po modernizohen edhe zhveshtoret e stadiumit ekzistues.
Kasami tha se me këto investime stadiumi do të përmbushë standardet e Federatës së Futbollit, duke krijuar kushte të plota për zhvillimin e ndeshjeve të Ligës së Dytë të Futbollit vendor. Ai shtoi se në bashkëpunim me Qeverinë do të vazhdojnë investimet për një rini të shëndoshë dhe aktive në Tetovë, duke paralajmëruar edhe projekte të tjera në kuadër të “Kapitullit të Dytë të zhvillimit të Tetovës”.