Tetovë – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka theksuar edhe njëherë përkushtimin e tij për kujdesin ndaj të moshuarve dhe kategorive sociale. Së bashku me këshilltaren dhe kryetaren e Këshillit Social të Komunës së Tetovës, ai vizitoi dy familje që përfitojnë nga programi “Ndihma dhe kujdesi në shtëpi”, i realizuar nga Shoqata Qytetare Milenium.
Ky program u ofron të moshuarve që jetojnë vetëm dhe personave me sëmundje të rënda ose kronike kujdes dhe mbështetje të vazhdueshme në ambientin e tyre familjar, duke garantuar siguri dhe rehati.
“Kujdesi për të moshuarit është prioritet i yni. Nën udhëheqjen time si kryetar i komunës, mbetem i përkushtuar të mbështes çdo organizatë që ofron shërbime sociale për qytetarët tanë. Ky angazhim do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, deklaroi Kasami.
Ky program konsiderohet si një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm midis pushtetit lokal dhe sektorit civil për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në nevojë.