Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës nga radhët e VLEN-it, Bilall Kasami, vizitoi sot “Bio Panairin” e organizuar nga Shoqata Renesansa në bashkëpunim me CNVP-PONT.
Kasami ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Bujqësisë Albrim Hoxha, bartësi i listës së këshilltarëve Albi Qamili, drejtori i Byrosë për Zhvillim Rajonal Daut Memishi dhe drejtori i Drejtorisë së Farërave dhe Materialit Mbjellës Ali Alili.
Ai theksoi se Tetova është zemra e prodhimeve BIO dhe se këto vlera duhet të ruhen, përkrahen dhe promovohen. Sipas tij, kultivuesit e produkteve jo drurore, bimëve aromatike dhe mjaltit po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi prodhimeve BIO, ndërsa komuna ka bashkëpunim të shkëlqyer me organizatat që promovojnë turizmin malor.
“Jemi gjithmonë pranë iniciativave të tilla që gjallërojnë traditën dhe nxisin zhvillimin e qëndrueshëm”, tha Kasami, duke shtuar se mbështetja për sektorin bujqësor dhe prodhuesit lokalë do të mbetet prioritet edhe në mandatin e ardhshëm.

