“Sporti është më shumë se një garë, është krenari, identitet dhe vizion” – kështu u shpreh kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, pas vizitës së mbrëmshme tek karateisti tetovar Driton Halimi.
Kasami, i shoqëruar nga bartësi i listës për këshilltarë Albi Qamili dhe ministri Besar Durmishi, vlerësoi lart sukseset e Halimit, i cili jo vetëm që ka fituar medalje dhe tituj për Tetovën, por edhe si trajner i gjeneratave të reja dhe themelues i klubit të karatesë “Onyx”, po formëson talente dhe karaktere të forta për të ardhmen.
“Kjo është mënyra më e mirë për ta përfaqësuar qytetin tonë me dinjitet në çdo garë”, tha Kasami, duke shtuar se Driton Halimi është shembull frymëzimi për të rinjtë dhe një vlerë e veçantë për sportin tetovar.