VLEN ka hapur sot shtabin zgjedhor në Zhelinë, ku kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bashkë me strukturat e partisë, prezantuan kandidatin për kryetar të kësaj komune, Blerim Sejdiun.
Kasami theksoi se Sejdiu është njeriu që për tetë vite me radhë nuk është dorëzuar përballë pengesave, presioneve dhe pazarëve të ulëta të klaneve politike, duke mbetur gjithmonë në krah të qytetarëve.
“Ai është i vetmi kandidat që gjithmonë ka luftuar për qytetarët, edhe kur të tjerët i shitnin interesat e Zhelinës për karrige personale. Kjo nuk është vetëm një fushatë, por vazhdim i shumë punëve të filluara. Zhelina nuk meriton mashtrime e premtime të pambajtura, por zhvillim, transparencë dhe një udhëheqje që nuk shitet”, u shpreh Kasami.
Në fjalën e tij, ai shtoi se VLEN është garancia që ndryshimi nuk ndalet, duke u shprehur i bindur se me fuqinë e qytetarëve dhe guximin e Blerim Sejdiut, Zhelina do të bëhet shembull i qeverisjes së ndershme dhe të pathyeshme.