Boshnjaku ka shkuar me gruan në muaj të mjaltit në Stamboll, është zhdukur dhe nuk është parë për 20 ditë

Enver Buriq nga qyteti boshnjak Visoko është zhdukur në Stamboll, ku ishte me gruan për muajin e mjaltit, shkruan “Klix”. Gruaja e tij, Sanela, më 30 dhjetor e ka raportuar Enverin si të zhdukur, pasi për më shumë se 24 orë nuk kishte arritur ta gjente. Ajo u përpoq të kërkonte ndihmë përmes disa grupeve në Facebook, por nuk mori informacion të dobishëm.

“Ju lutem ndihmoni, nëse dikush mund të më ndihmojë. Më 24 dhjetor 2024 u kthyem me burrin nga muaji i mjaltit në Dubai. Më 24 dhjetor duhej të fluturonim për në Sarajevë, por vendosëm të qëndronim në Stamboll për të kaluar festat e fundvitit. Megjithatë, herën e fundit e pashë burrin tim më 29.12.2024 në Stamboll,” shkroi Sanela në postimin e saj.

“Jam e dëshpëruar, e sëmurë, ju lutem më jepni çfarëdo informacioni, udhëzimi, nuk di më çfarë të bëj. Ju lutem ndihmoni. Burri im quhet Buriq Enver, nga Visoko. Herën e fundit është parë i veshur me një bluzë të zezë, një fanellë të zezë, atlete të zeza, një xhaketë të zezë dhe një çantë shpine të gjelbër. Dua të theksoj, ai u zhduk pa asnjë lira. Ju lutem ndihmoni, çdo udhëzim, këshillë etj. do të ishte i dobishëm. Ju falënderoj paraprakisht. Ju lutem,” shkroi Sanela në Facebook.

Zhdukja është raportuar në polici në Stamboll, dhe janë njoftuar edhe Konsullata e Përgjithshme e BiH në Stamboll dhe Ambasada e BiH në Ankara. Pas disa ditësh kërkimi në Stamboll, gruaja u kthye në BiH dhe e raportoi rastin në polici në Visoko.

Një përfaqësues i policisë sot deklaroi se Sanela Buriq ka kontaktuar me policinë dhe ka thënë se Ambasada e BiH në Ankara e ka informuar se Enveri është gjetur. “Ai momentalisht ndodhet në një qendër deportimi dhe së shpejti do të largohet për në BiH,” tha zëdhënësi i policisë. Deri tani nuk dihet në çfarë rrethanash është zhdukur Buriq, si dhe ku ka qenë dhe çfarë ka bërë gjatë 20 ditëve kur nuk kishte asnjë gjurmë prej tij.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights