Çairi drejt transformimit urban: Fillon rikonstruksioni i rrugës “5 Maji” në Serovë

Komuna e Çairit ka nisur rikonstruksionin e plotë të rrugës “5 Maji” në lagjen Serovë, një projekt kapital me vlerë prej 5 milionë denarësh, i financuar nga Qeveria. Investimi synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të mira për qarkullim dhe zhvillim të zonës.

Kryetari në detyrë dhe kandidati për këtë komunë, Izet Mexhiti, tha se ky është vetëm një nga projektet që po transformojnë Çairin në një qendër moderne banesoro-biznesore.

“Ky është vetëm fillimi. Paralelisht, kemi gati edhe projektin për një parking modern me kate, që do të zgjidhë përfundimisht problemin e parkimit në këtë pjesë të ngarkuar të qytetit. Ne nuk premtojmë, por ndërtojmë dhe investojmë çdo ditë”, deklaroi Mexhiti.

Ai theksoi se për vite me radhë Çairi ishte lënë në harresë dhe izolim, ndërsa tashmë çdo lagje po kthehet në një histori suksesi.

Zgjedhjet lokale të 19 tetorit do të jenë, sipas tij, momenti kur qytetarët do të zgjedhin mes “stanjacionit të së shkuarës dhe zhvillimit modern që Çairi meriton”.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT