Avokati serb publikon foto dhe dëshmi që hetojnë pjesëmarrjen e presidentit serb gjatë rrethimit të qytetit
Avokati i njohur serb, Çedomir Stojkoviq, ka deklaruar se ekzistojnë dëshmi të reja që mund të lidhin presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me aktivitetet e njohura si “Safari i snajperëve” gjatë rrethimit të Sarajevës (1992-1995).
Stojkoviq ka shpërndarë në rrjetet sociale foto dhe dokumente të kohës, duke iu referuar vetë deklaratave të Vuçiqit, i cili pranon se kishte shkuar si vullnetar në pjesën serbe të qytetit.
“Kur nisi lufta në Bosnje, unë shkova në pjesën serbe të Sarajevës dhe u paraqita si vullnetar. Nuk kam qenë anëtar i asnjë partie, thjesht shkova vetë. Kam qenë një kohë në Varrezat hebraike,” thuhet në deklaratën e Vuçiqit.
Çështja e “Safari të snajperëve” është e njohur nga padia e paraqitur në Milano nga gazetari Ezio Gavazzeni, sipas të cilës persona të pasur paguanin për të qëlluar civilë të pambrojtur nga pozicionet serbe në kodrat përreth Sarajevës. Vlerësohet se tarifa për çdo civil qëlluar arrinte deri në 100 mijë euro, ndërsa gjatë rrethimit të qytetit humbën jetën mbi 11 mijë persona.
Prokuroria italiane, nën drejtimin e prokurorit të antiterrorizmit Alessandro Gobbis, po shqyrton dëshmitë dhe raportet, përfshirë ato të ish-kryetares së Bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariq. Gazetari Gavazzeni ka deklaruar se të paktën njëqind persona morën pjesë në këto “turne snajperësh”.
Në këtë kontekst historik, edhe shkrimtari dhe politikani rus Eduard Limonov u fotografua duke qëlluar nga pozicionet serbe, nën drejtimin e Radovan Karaxhiqit, i cili më vonë u dënua për gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

