Departamenti për Shëndetësi i Lidhjes Shqiptare: Shëndetësia kërkon rezultate, jo konferenca për shtyp

SHKUP – Ndërsa Qeveria njofton iniciativën për themelimin e një Qendre të re për Ndihmën e Shpejtë në Shkup, Departamenti për Shëndetësi i Lidhjes Shqiptare ka reaguar ashpër, duke theksuar se sektori shëndetësor po vuan nga mungesa e reformave reale dhe ngecja drastike në përmbushjen e premtimeve.

 

Në reagimin e tyre, Lidhja Shqiptare iu referua raportit të pavarur “Kompasi i Premtimeve”, të përpiluar nga Finance Think, në bashkëpunim me Shoqatën e Mjekëve të Maqedonisë dhe Forumin Arsimor Rinor. Sipas këtij raporti, situata në shëndetësi është alarmante: vetëm 13% e premtimeve qeveritare janë realizuar, ndërsa një shifër prej 71% ende nuk kanë filluar të zbatohen.

Reformimi i sistemit, ende “në letër”

Departamenti për Shëndetësi vlerëson se nismat e fundit qeveritare nuk janë të mjaftueshme për të adresuar problemet kronike të sistemit. Sipas tyre, ky raport dëshmon se reformat thelbësore kanë ngecur thuajse plotësisht, duke veçuar:

  • Digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore;

  • Listat e pritjes, të cilat mbeten një barrë e rëndë për qytetarët;

  • Qasjen te specialistët, që vazhdon të jetë sfiduese;

  • Integrimin e niveleve të kujdesit shëndetësor;

  • Reformat thelbësore në shëndetësinë primare.

“Pacientët kanë nevojë për shërbim, jo për reklama”

Në deklaratën e Departamentit thuhet se qytetarët nuk kanë nevojë për institucione të reja që ekzistojnë vetëm në letër, por për mjekë dhe infermierë të mjaftueshëm, pajisje moderne në ambulanca, barna të disponueshme dhe diagnostikim në kohë.

“Reformat nuk maten me vendime qeveritare apo me konferenca për shtyp. Ato maten me jetët që shpëtohen, me pacientët që nuk presin me muaj për një kontroll dhe me profesionistët shëndetësorë që zgjedhin të qëndrojnë e të punojnë në vendin e tyre,” theksohet në reagim.

Lidhja Shqiptare përfundon duke kërkuar nga institucionet që të kalojnë nga retorika politike te veprimet konkrete, duke nënvizuar se sistemi shëndetësor meriton rezultate të prekshme që do të përmirësojnë standardin e trajtimit të pacientëve.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT