Dialog me të rinjtë: Nxënësit e gjimnazit “Ibrahim Temo” vizitojnë Komunën e Strugës

STRUGË – Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka pritur sot në një takim të hapur nxënësit e vitit të dytë të shkollës së mesme komunale “Ibrahim Temo”. Vizita, e realizuar në kuadër të lëndëve Sociologji dhe Shprehje e të folur, shërbeu si një platformë dialogu mes brezit të ri dhe vetëqeverisjes lokale.

 

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte forcimi i bashkëpunimit dhe inkurajimi i të rinjve për të marrë pjesë aktive në vendimmarrje. Gjatë bashkëbisedimit, nxënësit treguan interes të lartë për temat që prekin drejtpërdrejt të ardhmen e tyre, duke parashtruar pyetje mbi zhvillimin e turizmit, mundësitë e punësimit në qytet dhe mbështetjen e komunës për sportistët e rinj.

Kryetari Qyra, pasi u përgjigj në interesimet e nxënësve, i porositi ata që të jenë bartës të ndryshimeve pozitive.

“Inkurajoj të rinjtë që të përfshihen aktivisht në proceset shoqërore. Komuna e Strugës mbetet një institucion i hapur dhe i përkushtuar për të krijuar mundësi të reja që ndihmojnë zhvillimin dhe integrimin tuaj në komunitet,” u shpreh mes tjerash kryetari Qyra.

Ky takim rikonfirmon vullnetin e institucionit të komunës për të mbajtur një kanal të hapur komunikimi me rininë strugane, duke i konsideruar ata si partnerë kyç në proceset e zhvillimit lokal.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT